Për të ndërtuar “Informacionet mbi Profesionet”, projekti Aftësi për Punë u bazua në modelin e profileve të kërkesave të zhvilluara si pjesë e projektit “Profilet e kërkesave arsimore për formimin profesional fillestar”, i nisur në vitin 2011 nga Unioni Zviceran i Arteve dhe Artizanatit (Usam) dhe Konferenca Zvicerane e Drejtorëve Kantonal të arsimit publik (CDIP). Me ndihmën e agjencisë Zviceriane BfB, projekti Aftësi për Punë (S4J) nisi përshtatjen e instrumentit, sipas karakteristikave të profesioneve dhe formimit profesional në Shqipëri.
Fillimisht, konsulentët e BfB u njohën me përshkrimin e profesioneve, të bazuar në drejtimet/profilet e ofruara në institucionet e AFP, partnere të projektit S4J.
Në vijim, u hartua formati dhe elementët e aftësive dhe kompetencave të perfshirë në “Informacionet mbi Profesionet”.
Formati përbëhet nga 20 elementë (kompetenca), të cilët vlerësohen për të gjitha profesionet e dëshiruara, dhe nga një përshkrim i një situate tipike pune. Aftësitë dhe kompetencat u hartuan në një seri workshopesh ku morën pjesë përfaqesues biznesi/profesionistë, konsulentë të ndryshëm, përfaqësues të institucioneve AFP etj.
Për plotësimin dhe vlerësimin e elementëve të aftësive dhe kompetencave u organizuan sërish një seri workshopesh, me pjesëmarrës profesionistë të fushës (minimum 2 profesionistë të një fushe), mësues dhe instruktorë, këshillues të karrierës, psikologë dhe konsulentë AFP. Gjatë plotësimit të “Informacionet mbi Profesionet”, u bë edhe krahasimi midis profesioneve, për të verifikuar saktësinë në vlerësimin e elementëve përbërëse.