Berti bëhet gati të riparojë motorin e një taksie, që sapo ka mbërritur në servis. Pasi lexon me kujdes instruksionet përkatëse, ai mundohet të kuptojë më shumë mbi funksionimin e motorit, duke dëgjuar zhurmën që motori bën kur ndizet. Berti fillon të diagnostifikojë automjetin sipas instruksioneve dhe ndërkohë mban shënime pas çdo kontrolli që kryen. Ai diagnostifikon sistemin e vajisjes së motorit, sistemin elektrik të motorit, mekanizmin e shpërndarjes së gazeve, sistemin e ftohjes dhe sistemin e ushqimit dhe shkarkimit të motorit.
Pasi i tregon përgjegjësit të tij problemin që ka gjetur në mosfunksionimin e motorit, ai përllogarit koston e pjesëve që duhen ndërruar. Të nesërmen në mëngjes, Berti përgatit mjetet e punës dhe merr nga magazina pjesët e motorit që do të ndërrojë. Ai tregon kujdes, pasi disa pjesë të motorit janë delikate dhe mund të dëmtohen gjatë punës. Pasi përfundon montimin e të gjithë pjesëve, Berti ndez makinën dhe çdo gjë duket mirë..
Ndërkohë që Berti plotëson raportin teknik, hyn klienti (shoferi i taksisë), i cili e falenderon Bertin për punën e mirë.