Pak orë me parë Denisi dhe përgjegjësi i tij ishin në një vilë të sapo ndërtuar. Klienti, pronari i vilës, dëshironte të vendoste dritare me material alumini dhe një derë të jashtme metalike. Përgjegjësi i shpjegoi Denisit se cilat materiale dhe profile metalike duhet të përdoren. Më pas, ata bënë matjet dhe mbajtën shënim përmasat e dritareve dhe të derës. Gjithashtu, Denisi bëri një skicë të thjeshtë me detajet e kërkuara nga klienti.
Në punishte, Denisi bën gati të gjitha veglat e punës dhe ambientin e nevojshëm. Duke u bazuar te skica, ai përcakton llojet e materialeve që nevojiten dhe sasinë e tyre. Më pas, Denisi planinikon procesin teknologjik dhe pajisjet ndihmëse për realizimin e dritareve dhe të derës së jashtme. Pasi merr në magazinë materialet e nevojshme, ai fillon punën.
Denisi realizon me kujdes prerjen dhe shpimin e metaleve. Më pas bën prerjet, shpimet, saldimet dhe montimet e konstruksioneve metalike. Përgjegjësi i vjen në ndihmë për ndërtimin e derës së jashtme. Së bashku ata punojnë për të salduar dhe për të montuar pjesët përbërëse të derës.