Niku punon në një restorant dhe sot ai ka turnin e parë, të cilin e nis në orën 10:00. Në programin e ditës ai sheh se i kanë caktuar të shërbejë në tavolinat pranë dritareve. Përpara se të nisë turnin, ai sigurohet që çdo gjë në tavolina të jetë e pastër, duke i fshirë edhe njëherë gotat, lugët, pirunjtë dhe pjatat. Ai i palos edhe pecetat bukur.
Gjatë takimit të stafit të shërbimit me shefin e kuzhinës, ai dëgjon me kujdes se çfarë ushqimesh dhe pijesh do të shërbehen gjatë ditës së sotme. Nëse nuk e di diçka, Niku bën pyetje dhe mban shënime. Ai përgatit menutë dhe pijet, pret bukën dhe përgatit gjalpin. Ai mbush edhe një kovë me akull për shërbimin e verës së bardhë.
Në orën 12.00 Niku mirëpret klientët e parë, Z. dhe Znj. Krasniqi, dhe i shoqëron tek tavolina. Ai prezantohet dhe u rekomandon një aperitiv. Ndërsa po përgatit pijet, në restorant hyjnë disa klientë të huaj, një çift nga Anglia. Ai e ndërpret punën dhe i drejton klientët tek tavolina e tyre. Niku i pyet në gjuhën angleze si u shkoi udhëtimi dhe merr porosinë.
Gjatë drekës, Niku tregohet i vëmendshëm ndaj klientëve të tij. Ai rimbush gotat me pije, shërben pjatat dhe pyet nëse ata janë të kënaqur. Gjithashtu ai i prezanton klientët me veçoritë dhe origjinën e pijeve dhe ushqimit. Ai i informon klientët nga Anglia edhe për disa pika turistike në rajon. Në fund merr pagesën, i shoqëron klientët tek dera dhe i uron ditën e mirë.