Oltjoni dhe Rubini punojnë në një servis automjetesh, prej rreth 6 muajsh. Në këtë servis, ata ofrojnë kryesisht shërbime karrocerie për automjete të ndryshme. Ata përdorin doreza dhe maskë fytyre për t’u mbrojtur nga dëmtimet.
Në servis vjen një automjet i tipit veturë, i cili kishte pësuar një aksident. Oltjoni fillon të inspektojë automjetin, ndërkohë që Rubini diskuton me klientin dhe mban shënime. Për të kthyer automjetin në gjendjen e mëparshme, duhet të bëhen këto riparime:
1. Zëvendësimi i parakolpit
2. Ndreqja e kofanos (derës së motorit)
3. Lyerje e pjesës së përparme të dëmtuar të automjetit
Në fillim, ata çmontojnë me kujdes pjesët e dëmtuara të veturës. Më pas, Oltjoni porosit një parakolp të ri të përshtatshëm. Ndërkohë, Rubini ndreq kofanon, e cila është shtrembëruar dhe saldon disa pjesë të cilat janë dëmtuar. Më pas, ai e smerilon dhe e pastron kofanon, për ta bërë gati për t’u lyer. Të nesërmen, ata përzgjedhin bojën e duhur dhe lyejnë kofanon dhe parakolpin. Pasi boja është tharë, ata montojnë me kujdes parakolpin dhe kofanon.
Makina duket sërish e re dhe klienti është shumë i kënaqur.