Disa muaj më parë, Arsola nisi të punojë në një agjenci turistike. Sapo mbërrin në punë, ajo kontrollon e-mailin dhe sistemin e rezervimeve, për të verifikuar kërkesat e klientëve dhe rezervimet e kryera. Pasi bën rregullimet e nevojshme në sistemin e rezervimeve, Arsola printon dokumentacionin dhe ja tregon përgjegjëses së saj.
Përgjegjësja diskuton me Arsolën për krijimin e një pakete turistike për 20 persona, të cilët dëshirojnë të kalojnë fundjavën në një zonë bregdetare në Shqipëri. Menjëherë, Arsola telefonon klientin dhe me mirësjellje diskuton me të rreth vendndodhjes, llojit të hotelit, llojit të aktiviteteve etj. që klienti dëshiron.
Për t’u siguruar se paketa e përzgjedhur është e realizueshme, ajo bën verifikimet e nevojshme duke kontaktuar hotelin, agjencinë e transportit dhe furnitorët e tjerë. Arsola krijon axhendën dhe përllogarit çmimin e paketës turistike. Më pas, ajo e dërgon paketën turistike me e-mail në adresën e klientit.
Para se të mbyllë ditën e punës, Arsola bën postimin e paketave dhe ofertave turistike të agjencisë në rrjetet sociale.