Ema punon si specialiste tekstili në një laborator. Ajo kryen eksperimente dhe teste për të krijuar materiale tekstili me veçori të ndryshme. Ema ka fituar shumë njohuri në shkollë, gjatë praktikës profesionale.
Sot, menaxheri i laboratorit e informon Emën rreth kërkesës së një klienti të rëndësishëm. Ema duhet të kryejë disa procese ngjyrosje për mostrat e kërkuara nga klienti. Në përputhje me informacionin e paraqitur në dokumentacion, Ema planifikon hapat që duhet të ndjekë, veçoritë e tretësirave dhe bën kalkulimet e nevojshme.
Pasi fillon procesi i ngjyrosjes, Ema observon dhe kontrollon vazhdimisht parametrat e testimit. Nëse diçka nuk shkon sipas planit, ajo bën rregullimet e nevojshme. Më pas, Ema vijon me vlerësimin e ngjyrës së mostrës, duke e krahasuar atë me mostrën që ka dërguar klienti.
Në fund, ajo e dorëzon mostrën e ngjyrosur te menaxheri i laboratorit, i cili e kontrollon dhe e përgëzon Emën për punën e mirë.