Ana punon në departamentin e veshjeve për femra në një qendër tregtare. Çdo mëngjes, sapo nis ditën e punës, ajo sigurohet që të gjitha rrobat të jenë të palosura mirë dhe të renditura sipas masave. Sapo ka ardhur furnizimi i ri, ndaj ajo heq nga rafti disa veshje të koleksionit të vjetër dhe i zëvendëson me veshjet e koleksionit të ri.
Një kliente kërkon një palë pantallona, të cilat nuk arrin t’i gjejë në masën e duhur. Ana bën një vlerësim me sy të gjatësisë së këmbëve të klientes dhe të perimetrit të belit dhe rekomandon ato modele që mund t’i përshtaten më mirë. Klientja gjen shumë shpejt një palë panatallona që janë masa e saj, te cilat i rrinë mirë. Ajo paguan tek arka, përshëndet dhe largohet e kënaqur.
Më pas Anës i afrohet një kliente tjetër që kërkon një veshje të përshtatshme për një festë ditëlindjeje. Ajo e pyet atë rreth ngjyrës dhe modelit të dëshiruar dhe i ofron disa modele fustanesh. Klientja provon disa nga prej veshjeve dhe Ana e këshillon në lidhje me ngjyrat dhe prerjet që i përshtaten më mirë. Klientja vendos të marrë një fustan ngjyrë jeshile. Meqë në dyqan për momentin nuk e kanë atë fustan në masën e dëshiruar, Ana e porosit fustanin në një dyqan tjetër të linjës. Klientja e pyet edhe për mënyrën e kujdesjes për fustanin. Ana shikon etiketën dhe i shpjegon klientes mënyrën e larjes së fustanit. Ajo i thotë mirupafshim klientes dhe i vendos në vendin e duhur rrobat që merr nga dhoma e zhveshjes.
Në fund të ditës së punës ajo kontrollon faturat e mallrave në sistem dhe më pas bën mbylljen e ditës.